Luka 10:10-30 Së Bashku (ALNT)

10. Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni:

11. “Edhe pluhurin e qytetit tuaj që na është ngjitur këmbëve, po e shkundim kundër jush. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.”

12. Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet.»

13. «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi.

14. Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.

15. Po ti, Kafarnaum,mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?Në ferr do të plandosesh.

16. Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua dhe kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».

17. Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim dhe i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!».

18. Jezui u tha:«E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe.

19. Ja, ju kam dhënë pushtet që të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t’ju bëjë keq.

20. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».

21. Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i Shenjtë e tha:«Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.

22. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë».

23. Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve dhe u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju!

24. Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».

25. Atëherë një mësues i ligjit të Moisiut u ngrit për ta vënë në provë Jezuin dhe i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?».

26. Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligjin e Moisiut? Çfarë lexon atje?».

27. Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje tjetrin si veten».

28. Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh».

29. Por ai, meqenëse donte t’i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është tjetri?».

30. Jezui iu përgjigj:«Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.

Luka 10