Marku 5:14-34 Bibla Shqip (ALBB)

14. Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

15. Kur erdhën te Jezusi, panë të demonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte demonizuar nga Legjioni, dhe kishin frikë.

16. Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të demonizuarit dhe çështjen e derrave.

17. Atëherë ata filluan t'i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

18. Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i demonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

19. por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: ''Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty''.

20. Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapoli për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrekulluan.

21. Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.

22. Atëherë erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,

23. dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''.

24. Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.

25. Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh

26. dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,

27. kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,

28. sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rrobën e tij, do të shërohem''.

29. Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.

30. Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ''Kush m'i preku rrobat?

31. Dhe dishepujt e vet i thanë: ''A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: ''Kush më preku?''.

32. Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.

33. Atëherë gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç'i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

34. Dhe ai i tha: ''Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!''.

Marku 5