8. Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.
9. Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t'i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.
10. Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.
11. Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.
12. Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.
13. Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.
14. Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t'i bëni asnjë të padrejtë njëri-tjetrit.
15. Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.