Jozueu 8:18-23 Bibla Shqip (ALBB)

18. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit.

19. Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t'i vënë flakën.

20. Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin.

21. Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait.

22. Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën derisa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak.

23. Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu.

Jozueu 8